Mosha mesatare kur të rinjtë fillojnë jetën seksuale, ndryshon në varësi të rracës, vendbanimit (fshat ose qytet ), kombësisë, fesë, familjes, shokëve dhe shumë faktorëve të tjerë. Unë, nuk mendoj se do të ketë për adoleshentët një moshë "mesatare", që, kur do ta arrijnë, do të jepet sinjali: "tani është koha për seks". Moshë mesatare do të thotë që, disa vajza janë më të mëdha dhe disa më të vogla kur fillojnë të bëjnë seks.

Vajza dhe gra të rritura rreth 20 vjeç, tregojnë për shumë histori seksuale, të cilat kanë kaluar pa asnjë vlerë emocionale në jetën e tyre. Ato, edhe pse e kanë ndjerë vëmendjen e dashnorëve në kohën që bënin seks, më vonë u ndjenë të zhgënjyera prej tyre, veçanërisht, kur ata shkuan me partnere të tjera seksuale.

Seksi të bën të ndjehesh mirë por, kur nuk të vinë më zakonet, ankthi se ke mbetur shtatzënë, është shumë i dhimbshëm.

Po qe se mbetesh shtatzënë, ti duhet të vendosësh: do ta mbash fëmijën, apo do të bësh një abort. Shumë gra, që i kanë mbajtur fëmijët, tregojnë të dëshpëruara se, shtatzënia e padëshiruar në adoleshencë, ua ka prishur krejt rininë e tyre "normale".

Edhe ato nëna të reja që i lindën fëmijët dhe i dhanë ata për adaptim, gjatë gjithë kohës, kanë jetuar në ankth.

Ato vajza të reja që i lindën dhe i mbajtën fëmijët, humbën gjithçka të rëndësishme nga jeta e tyre shoqërore. Shumë prej tyre nuk mbaruan dot as gjimnazin. U bënë prindër, në një kohë që kanë nevojë vetë për prindër dhe kur akoma nuk janë të afta ta përballojnë financiarisht jetesën e tyre.

Ka edhe më! Vajzat që bëjnë seks të pambrojtur, kur nuk kanë arritur akoma moshën 17 vjeç, sipas statistikave, i kanë shumë të larta shanset që të sëmuren me kancerin e qafës së mitrës dhe të gojës.

Trupi i një adoleshenteje të re, nuk është akoma i zhvilluar mirë për tëmbajtur një shtatëzani dhe, mund të ndodhin gjëra që, kërcënojnë jetën e nënës dhe të fetusit. Gratë që e kanë filluar jetën seksuale përpara moshës 17 – 19 vjeç, tregojnë se seksi i hershëm është shumë i mërzitshëm, aspak special dhe se do të donin të mos e kishin bërë kurrë. Ato tregojnë se në krahasim me shoqet e tyre, seksualisht joaktive, ishin më pak të interesuara për seks nga mosha 20 – 40 vjeç dhe kjo, ka krijuar shumë probleme me partnerët e tyre.

Shumë adoleshente të reja, 13 deri në16-vjeçare, mendojnë se aktiviteti i hershëm seksual, do t'u sjellë shumë gjëra të rëndësishme. Kjo, në fakt, nuk është e vërtetë. Ato mendojnë se duke bërë seks, do t'i mbajnë djemtë për një kohë më të gjatë afër vetes, do të gjejnë dashurinë, do të jenë më popullore midis shokëve dhe do të duken më të rritura.

Ka një fakt jetësor: 99.99% e njerëzve KURRË NUK E HARROJNË partnerin e interkursës së tyre të parë. Kjo ndodh sepse ky, është një hap me shumë rëndësi. Një hap, të cilin kurrë nuk e kthen dot mbrapa. Ky hap ka ndikim të thellë emocional, që pak të rinj e të reja nën moshën 17 apo 18-vjeçare, kanë aftësinë ta menaxhojnë.

Të humbasësh virgjërinë, është vendim madhor. Ti e mendon kryerjen e marrëdhënieve të para seksuale si momentin më të lumtur, por mos harro se, realiteti, mund të mos përputhet me fantazitë e tua. Shumë njerëz zhgënjehen nga akti i parë seksual. Ai mund të jetë shqetësues, alarmant, shtazor dhe pa asnjë kënaqësi.

Shumë adoleshentë e shohin interkursën e parë seksuale si gjë pa rëndësi, "Ohu! Punë e madhe!", - thonë ata.

Seksi me dikë, përmirësohet me kohë dhe eksperiencë, ashtu siç përmirësohet loja në piano ose ngasja e biçikletës. Kush del që ditën e parë në koncert dhe kush del që ditën e parë në rrugë me biçikletë. Interkursa e parë, që të jetë e kënaqshme, kërkon njohje të gjatë me njëri-tjetrin, kërkon besim, komunikim dhe përkushtim të mirë me shokun.

Ka edhe një faktor tjetër që meriton vëmendje.

Preferoj ta quaj"jargosja seksuale", gjithë atë proces reflektor të kondicionuar, ku seksi i hershëm, prish jetën seksuale pas martesës. Të gjithë dinë dhe kanë dëgjuar për eksperimentet e famshme të Pavllovit me qentë. Kur u tregonte ushqimin, qeni nxirrte pështymë. Sa herë që qenit i tregonte ushqimin, Pavllovi i binte ziles. Më së fundi, qeni mësohej (ose kondicionohej) të nxirrte pështymë çdo herë që binte zilja, edhe kur nuk kishte ushqim. Qeni jargosej kur binte zilja.

Kështu është edhe me seksin e hershëm. Shumë nga "vështirësitë seksuale në martesë", i kanë rrënjët në një proces të ngjashëm.

Përderisa seksi i hershëm është nga pikëpamja shoqërore një "JO" e madhe, akti seksual i ndaluar, shoqërohet me një shkallë faji, frike, dhe humbje të dinjitetit. Kjo është njëlloj për të dy partnerët, por është më e shprehur për vajzat. Ato ndjehen fajtore kur bëjnë diçka që besojnë se nuk duhet ta bëjnë. Ato humbasin respektin për veten, për sa kohë nuk jetojnë siç janë idealet e tyre jetësore. Ato tremben nga tri gjëra: mund t'i kapin duke kryer aktin seksual, mund të ngelen shtatzëna dhe mund të marrin ndonjë Sëmundje Infektive Seksuale.

Çfarë ndodh kur të rinjtë bëjnë seks herët? Çdo herë që bëjnë seks, ata "jargosen", domethënë ndjehen fajtorë dhe kanë frikë mos humbin vetërespektin. Kjo përsëritet shumë herë. Ata bëjnë seks dhe ndjejnë frikë, faj dhe ndjehen të flakur. Me kohë, të gjitha këto ndijime negative, bëhen shoqëruese të vetë aktit seksual. Ashtu si qeni e lidhte ushqimin me zilen, ata mësohen ta lidhin seksin me këto ndijime të pashëndetshme.

Tani supozoni që ata u martuan. Vetë martesa, mjafton që të ndjejnë faj, frikë dhe flakje, kur angazhohen në seks. Ata dorëzohen në krahët e partnerit në muajin e mjaltit dhe ndjejnë se janë tmerrësisht të frenuar. Ndjejnë gjithë atë faj, frikë dhe turp. Ata vazhdojnë ta lidhin seksin me fajin, me frikën dhe turpin e paramartesës dhe, në të njëjtën mënyrë, vazhdojnë ta ndjejnë edhe tani pas martesës.

Tamam si me ushqimin e qenit, shkaku i përgjigjes u hoq, por çdo herë që ata "i bien ziles" duke bërë seks, faji, frika dhe turpi do t'u kthehen përsëri. Mund të duhen muaj, ndonjëherë vite, që ata të rikondicionohen. Vetëm pas këtij rikondicionimi, jeta e tyre seksuale do të jetë e plotë dhe e çliruar. Mos u çuditni që, kaq shumë burra dhe gra janë të frenuar seksualisht dhe jeta e tyre seksuale vuan pas martesës. Janë të shumtë të rinjtë e të rejat që pyesin dhe kërkojnë ndihmë për të përmirësuar jetën e tyre seksuale martesore, e cila shpesh vuan pasojat e seksit të hershëm para martesës.

Tani le të pyesim: A ja vlen seksi i hershëm, që të vuash për vite të tëra në martesë?

BËNI ZGJEDHJE TË MIRA

Adoleshentët që kanë shkuar shumë larg, ose kanë bërë gjithçka, përsëri e kanë një zgjedhje. Ata mund:

Të zgjedhin të vazhdojnë të bëjnë seks të hershëm me të gjitha rreziqet, OSE, të zgjedhin të mos vazhdojnë të bëjnë seks. Të kënaqen me përfitime të tjera që ka respekti dhe vetëkontrolli. Të fitojnë lirinë seksuale.

Kthehuni tek thjeshtësia:

Thjeshtësia në veshje është zgjedhje personale: Të veshësh rroba dhe ta mbash veten në atë mënyrë, që të tregosh se dëshiron të trajtohesh si person dhe jo si një objekt seksi, është çështje personaliteti.

Shpesh, është e vështirë ta kuptosh dhe ta përcaktosh një rrobë si jo modeste, veçanërisht, në një kulturë si kjo e jona, që promovon tendenca provokuese. Rrobat që provokojnë dhe zgjojnë ndjenja seksuale, janë të brendshmet që njerëzit i blejnë kur martohen, ose kur bëjnë dhurata. Tani, ato i sheh kudo në rrugë.

Prindër, përpara se të diskutoni modestinë me adoleshentët tuaj, gjeni kohë të diskutoni me bashkëshortin ose me një shoqen tuaj. Nga vitet nëntëdhjetë e këtej, ne jemi mësuar me "sexy attire" dhe i kemi marrë ato si një gjë e zakonshme mode. Shumë adoleshente, as nuk e kanë idenë, se si "attire" e tyre, prek dhe nxit shokët e seksit tjetër.

Vajzat nuk e kuptojnë se rrobat e shkurtra, të lejuara, ndoshta, të vishen në shtëpi dhe në mbrëmjet e veçanta, janë një tërheqje e vërtetëseksuale për djemtë. Ai, të parën gjë që vë re është se ajo përpiqet të bëjë reklamë për veten. Si mund të përqendrohet ai tek personi i saj dhe tek bukuria e saj e brendshme,kur ai tërhiqet lehtësisht nga lakuriqësia e saj. Një vajzë që shkon me shokun e klasës në kinema, ose në kafe, gjysmë e zhveshur, tregon se në mendje ka më shumë se filmi dhe kafeja.

Diskutoni se cilat soje rrobash, e bëjnë një vajzë të duket sikur dëshiron të reklamojë trupin e saj. Merrni në konsideratë veshjet që janë shumë të ngushta ose të gjera, shumë të hapura, të çara, me vrima, me material transparent, ose me jakë V, që lejon të duken gjinjtë. Si mund të jenë teshat e shtëpisë dhe të mbrëmjes që vesh një vajzë, modeste? Si mund të vishen djemtë?

Shikoni në një katalog teshash, me modestinë në mendje. Ekzaminoni diferencat midis veshjeve seduktive dhe atyre modeste, të thjeshta (të rregullta) që akoma mund të jenë në modë.

Bëni pyetje që ta ndihmojnë fëmijën të kuptojë. Përdorni të qeshurën, humorin në këto biseda. Qeshni së bashku. E qeshura, është formë e mrekullueshme e intimitetit, që sjell një mirëkuptim special.

Vitet e adoleshencës karakterizohen shpesh nga konflikte. Bëni gjithçka që të jeni ndihmësi dhe inkurajuesi i adoleshentit tuaj, ndërkohë që ai po provon këto situata të reja në jetë. Le ta kuptojnë ata, se ju jeni këtu me eksperiencën tuaj, që t'i ndihmoni në këtë pjesë të vështirë të jetës së tyre.

Për sa kohë nuk jeni të zotët e vetes, bëni si t'u thonë prindërit

Seksi shpesh është shprehje e mrekullueshme dhe e fuqishme e dashurisë. Por, ashtu si zjarri dhe arma, ai nuk mund të përdoret nga dikush që është i papërgatitur dhe nuk di pasojat që vinë nga përdorimit i tij i gabuar. Nga kontaktet që kam me njerëzit, kam kuptuar se, edhe të rriturit, nuk janë të gjithë të përgatitur, qoftë dhe pjesërisht, për të trajtuar pasojat e sjelljeve të tyre të gabuara seksuale. Shtatzënia është rezultat natyral i seksit.Edhe po të jeni shumë të kujdesshëm dhe këmbëngulës në zbatimin e masave për të parandaluar shtatëzaninë (pak adoleshente janë të tillë), përsëri mund të mbeteni shtatzënë dhe të frikësuar.
Në rastin e një shtatëzanie të padëshiruar, çdo vajzë ka tre opsione për të zgjedhur dhe, në çdo njërin prej tyre, ka shumë gjëra të papëlqyeshme.

Aborti, është zgjidhja më e zakonshme që zgjedhin adoleshentet që mbeten shtatzëna. Zakonisht, vajzat e kësaj moshe, ndjehen shumë keq nga kjo zgjidhje. Është presioni i partnerit, i prindërve dhe i njerëzve të tjerë, që i detyron këto vajza të kuptojnë se nuk kanë rrugë tjetër për të zgjedhur. Kur një vajzë kryen një abort sepse nuk u ndihmua që të zgjidhte një opsion tjetër, ajo, në të njëjtën kohë, u hap derën shumë problemeve të karakterit emocional dhe shoqëror, që do ta shqetësojnë gjithë jetën.

Alternativa e dytë, që preferohet më shpesh, është të bëhesh prind i vetëm. Një vajzë e kësaj kategorie, është e detyruar të përballojë përgjegjësitë e një të rrituri përpara se të jetë gati. Në këtë mënyrë, ajo humbet shumë oportunitete për jetën e saj shoqërore. Oportunitete që, moshataret e saj, do t'i gëzojnë.

Alternativa më pak e pëlqyer është adoptimi, një zgjedhje shumë e dëshiruar por e vështirë, që e bën nënën e re të shqetësohet për fatin e fëmijës së saj gjithë jetën.

Është një e vërtetë e hidhur rritja e numrit të adoleshenteve që preferojnë të fshehin shtatëzaninë e tyre. Një pjesë e këtyre nënave të reja, që vendosin ta fshehin të vërtetën, janë diktuar. Ato, më vonë, janë gjetur përgjegjëse për fatin e bebes së tyre - të abandonuar ose të vdekur - dhe kanë përfunduar në burg.

Asnjë adoleshent nuk është aq i pjekur sa të arrijë t'i trajtojë në mënyrë efektive secilin nga këto përfundime. Në këto kushte, është shumë e zgjuar që, ata, të evitojnë tërësisht aktivitetet që mund të çojnë në shtatëzani të paplanifikuara.

Ka edhe një rrugë tjetër për vajzat e reja shtatzëna. Unë hezitoj ta zë në gojë atë, sepse ajo, shumë rrallë, është zgjidhja më e mirë. Disa adoleshente shtatzëna vendosin të martohen. Ndërsa këshillohet që, dy prindër, me dëshirë, ta presin një fëmijë, asnjë grua nuk duhet të martohet me një burrë vetëm pse ai ndodhi të jetë dhuruesi i spermës për fëmijën që ajo mbart. Po qe se adoleshentja është e pjekur dhe, midis dy të rinjve ekziston dashuria e vërtetë, martesa mund të jetë zgjidhje e mirë. Por, shumë pak adoleshentë, janë gati për përgjegjësitë e martesës. Kjo është martesë në një moshë shumë të re dhe përqindja e divorcit në këto tipa bashkimesh, është shumë i lartë.

Shumë adoleshentë mendojnë se janë shumë të kujdesshëm në sjelljet e tyre seksuale dhe insistojnë të thonë: "Nëse duam të bëjmë seks, kjo është puna e jonë dhe e askujt tjetër".Unë do të dëshiroja t'u bëja këtyre të rinjve këto pyetje:

1-A mund të tregoni kujdes si nënë për fëmijën tuaj?

2-A jeni të afta të duroni komplikacionet mjekësore që sjell aborti?

3-A do ta përballoni dot vuajtjen e gjatë e të mundimshme drejt vdekjes nga AIDS-i?

-Dhe pyetja e fundit:

4-Kush do t'i paguajë këto faturat tuaja: babai dhe nëna?

Në qoftë se nuk jeni në gjendje të paguani për gabimet e sjelljes tuaj seksuale dhe ua lini këtë atyre, atëherëm pritni deri sa të bëheni të aftë t'i dilni vetes zot. Mos mendoni se jeni të zotët e vetes dhe të aftë të merreni me një, ose me të gjitha këto mundësi, jo të rralla. Për sa kohë nuk jeni të zotët e vetes, bëni si t'u thonë prindërit.

Tani që unë thashë gjithë këto, të rinjtë duhet të më kuptojnë. Unë nuk dua t'i diskurajoj ata që të mos bëjnë interkursë për arsye thjesht morale ose religjioze. Këto që thashë, mbështeten, siç e shihni, në faktorë shëndetësorë dhe psikologjikë. Unë nuk kam thënë që të rinjtë të presin deri në martesë pastaj të bëjnë seks. Ka shumë autorë që e rekomandojnë këtë. Kjo është vështirë të zbatohet sot, kur martesa është shtyrë shumë në vite. Nga ana tjetër, po të veproni kështu, mund të ndodhë që, me vonesë, të kuptojnë se nuk janë seksualisht kompatibël me njëri-tjetrin. Unë dua që adoleshentët të jenë të mirinformuar dhe të dinë se ku shkojnë ..

Ka shumë adoleshentë seksualisht aktivë, që bëjnë seks, por ka edhe shumë të tjerë që nuk bëjnë. Sipas studimeve më të fundit të publikuar në revistën e të rinjve amerikanë "Seventeen", dhe sipas Fondacionit Kaiser Family, vetëm 22 përqind e vajzave dhe 49 përqind e djemve të moshës 15 deri 19 vjeç, kryejnë marrëdhënie seksuale rastësore. Por, duhet të dini se, seksi nuk pajtohet me rastësinë. Seksi kërkon marrëdhënie të qëndrueshme, mundësisht të gjata.

Në mbyllje dëgjoni këto dy këshilla:

1-Kush dëshiron të bëjë seks rastësor, duhet të mbrojë veten, duke përdorur gjithmonë kondomin dhe një formë tjetër të kontrollit të lindjes, siçjanë pilulat.

2- Të jeni të sigurtë se dikush – një shok, ose një familjar - e di se ku jeni dhe me kë jeni, veçanërisht kur ndodheni në situata seksuale, me njerëz që nuk i njihni mirë.

Është vendimi juaj nëse do të keni marrëdhënie që janë më së shumti ose totalisht seksuale. Disa veprojnë kështu dhe ndjehen mirë. Rëndësi ka të jesh i/e sigurtë, se bën tamam atë që dëshiron të bësh.

0 commenti:

Copyright © 2008 - 2011 Adult Albania - is proudly powered by Blogger
Smashing Magazine - Design Disease - Blog and Web - Dilectio Blogger Template