Të gjitha arsyet pse tradhtojmë

Arsyet pse tradhtojmë janë po aq të ndryshme sa dhe arsyet pse dashurojmë dhe pse duam ata që duam. Femrat dhe meshkujt mund të tradhtojnë për arsye të njëjta, por mund të tradhtojnë edhe për arsye shumë specifike, që i përkasin gjinisë së tyre.

Si meshkujt edhe femrat mund të tradhtojnë sepse nuk provojnë më dashuri, ndjenjë, tërheqje mes tyre; për hakmarrje kundrejt partnerit (me partner do të nënkuptoj si femrat ashtu edhe meshkujt) që të ka poshtëruar apo që nuk të plotëson nevojat që ke; për të thyer monotoninë apo mërzinë e një marrëdhënieje rutinë; nga nevoja për t'u ndier joshës, tërheqës, i pëlqyer dhe i aftë seksualisht, nga mendimi se mund të gjesh ilaçin për të rregulluar mosfunksionimin e marrëdhënieve seksuale, nga humbja e kontrollit, nga dëshira për t'u shkëputur nga një marrëdhënie që nuk funksionon, etj.

Tradhtia ndodh edhe për arsye të tjera, si për të rifituar besimin përballë moshës, që po kalon dhe humbjes së mundësive, për pasojë të zhgënjimeve të vazhdueshme apo mungesa e paqes bashkëshortore apo edhe si pasojë e streseve në punë, kuriozitetit, dëshirës për “aventurë” etj.

Ka tradhti rastësore dhe thjesht mishtore (që zakonisht ndodhin nga humbja e kontrollit apo dëshira për të kaluar një gjendje jo të mirë psiko-emocionale), ka tradhti të zemrës, tradhti të vazhdueshme (me një person apo persona të ndryshëm) kronike apo akute etj.

Meshkujt tradhtojnë kryesisht për të rritur vetëvlerësimin e tyre dhe për t'i konfirmuar vetes virilitetin e tyre (të qenët maço), për t'u ndier më të gjallë e të fuqishëm apo për të shfryrë një agresivitet të thellë, të brendshëm, ndërsa femrat tradhtojnë kryesisht për të përmbushur nevojën për t'u dashur, për t'u ndier joshëse, të vlerësuara, për të marrë ngrohtësi, ëmbëlsi dhe për t'u ndier të lirshme dhe të shpenguara.

0 commenti:

Copyright © 2008 - 2011 Adult Albania - is proudly powered by Blogger
Smashing Magazine - Design Disease - Blog and Web - Dilectio Blogger Template