Çfarë ndodh me partnerin e tradhtuar?

Një shprehje franceze thotë: “Zot, të lutem bëj që gruaja të mos më tradhtojë, por edhe po më tradhtoi, bëj që të mos e marr vesh, por edhe po e mora vesh, bëj që të mos e besoj”.

Tradhtia shkatërron vetëbesimin, vetëvlerësimin, besimin të partneri apo të tjerë, ëndrrat, shpresat, dëshirat, etj. Tradhtia shkakton krizë për identitetin personal dhe atë seksual. I tradhtuari vë në dyshim gjithçka, që ai/ajo ka menduar si të rëndësishme, joshëse apo tërheqëse te vetja. Tradhtia si pasojë e humbjes së vetëvlerësimit dhe vetëbesimit shkakton shok, zemërim, indiferencë apo dhimbje ekstreme, ankth, tërheqje emocionale dhe shoqërore, rënie të dëshirës seksuale, ndryshim të regjimit ditor, etj. Pra zhgënjimet emocionale mund të ndikojnë mbi shëndet duke krijuar stres, depresion apo rënie të përgjithshme të imunitetit, që e bën individin më të predispozuar ndaj sëmundjeve.

Meshkujt e përjetojnë tradhtinë si fyerje ndaj virilitetit apo egos së tyre mashkullore, ndërsa femrat përveç fyerjes, kryesisht e përjetojnë tradhtinë si humbje të sigurisë, dashurisë, vetëvlerësimit (qoftë fizik apo intelektual) apo edhe statusit social, personal.

Tradhtia e largon vëmendjen nga partneri dhe marrëdhënia aktuale. Kur tradhton, nuk mund të përkushtohesh njësoj në marrëdhënie si më parë. Tradhtia krijon një trekëndësh, që ushtron presion të trajtohet si i barasvlershëm. Tensioni bën që vëmendja, përkushtimi, kënaqësia që merret nga marrëdhënia nuk mund të jenë më njësoj. Humbja e vëmendjes sjell rënien e cilësisë së marrëdhënies, e cila sjell pakënaqësi. Kjo pakënaqësi interpretohet si mungesë dëshire për të qëndruar me partnerin dhe rrit justifikimin për ta tradhtuar. I gjithë ky skenar kthehet në një rreth vicioz, i cili është vështirë të ndërpritet nëse çifti nuk bën përpjekjet e duhura në kohën e duhur.

0 commenti:

Copyright © 2008 - 2011 Adult Albania - is proudly powered by Blogger
Smashing Magazine - Design Disease - Blog and Web - Dilectio Blogger Template