U pëlqen ta quajnë veten "modele webcam". Janë vajza që punojnë në studio të vogla, të shpërndara me shumicë në kryeqytetet europiane. "Zanati" i tyre është të flasin via internet me klientë që u kërkojnë favore me sfond erotik. Sigurisht, gjithçka nëpërmjet monitorit. Shumë prej tyre janë vajza nga vendet e lindjes, Rusia, Rumania, Shqipëria, Bullgaria, madje jo pak prej tyre janë studente që fitojnë diçka më shumë duke bërë këtë punë të pazakontë.
Shtypi italian ka botuar disa kronika mbi ekzistencën e këtyre studiove. Në një prej reportazheve dedikuar kësaj teme, gjejmë mes vajzave të intervistuara, edhe një vajzë shqiptare.

***

S. është një vajzë 21-vjeçare, që dy vjet më parë ia arriti të realizonte ëndrrën e saj: të ikte nga qyteti i lindjes, një provincë në Shqipëri, dhe të vinte për studime në Itali. Disi vonë, por ajo provoi dy vite me radhë, derisa ia doli mbanë të ishte në listën e fituesve që mund të merrnin vizë dhe të drejtë studimi nga ambasada.

Ajo fiton jetesën duke punuar në një "studio -webcam", në të cilën përfundoi pasi lexoi një lajmërim në gazetë;

"Ishte shkruar: kërkohen vajza për të punuar me sitet Internet, me njohje të anglishtes dhe të paketës software Windows. Mendova: Qenka tamam për mua. I kisha marrë diplomat në Shqipëri për të dyja këto fusha. U prezantova në adresën që jepej në lajmërim, kur ç'të shoh?! Rreth e rrotull meje, vetëm web-kamera. Mbeta pak keq. Por më pas më thanë: shiko se nuk duhet fare as të zhvishesh. Duhet vetëm të flasësh në përgjithësi." Më vonë kuptova se gjithë atyre që vinin për herë të parë, u thoshin të njëjtat fjalë.

- Dhe ti nise të zhvisheshe që ditët e para?

- Jo, në fillim nuk doja. Por pastaj, me kalimin e ditëve, pyesja veten nëse mund ta bëja një gjë të tillë apo jo. Dhe pasi e bëra për herë të parë, më pas u bë një gjë normale.

- Klientin e sheh?

- Ndonjëherë po, ndonjëherë jo. Të zhvishesh përballë një ekrani kompjuteri bosh, është një gjë që tashmë e bëj qetësisht, por kur në monitor sheh sytë e tjetrit, shef se si ai të vëren, është diçka e tmerrshme, që nuk më pëlqen, e pranoj.

- Klienti ka të drejtë të të kërkojë që ti të bësh gjithçka ai dëshiron?

- Teorikisht po, por mund ta refuzosh pa problem, nuk je e detyruar. Dhe pastaj varet sa larg dëshiron të shkosh në këtë lojë. Dikush, për shembull, më kërkoi njëherë t'i tregoja me detaje se si kryeja një akt incesti. Sinqerisht, nuk mundesha të shpikja histori të tilla. E mbylla bisedën, por për punëdhënësin ky ishte një problem i madh. Një kolege më pas më tha: "Këta janë mësuar me ruset, ato nuk e kanë problem të flasin për gjëra të tilla".

- Ka perversë on-line?

- A ka the...?? Sa të duash. Një mal! Kërkojnë ca gjëra që ... Belanë më të madhe e kam me tipat mazokistë. Duan t'i fyesh e t'u sajosh një dënim. Dhe duhet të të shkojë mendja shpejt... Ka dhe ndonjë që të thotë: "Fol me mua sikur unë të isha babai yt". Shpesh më hipën e qeshura, të them të drejtën.

- Veç teje, sa vajza punojnë në studio?

- Nga 25 në 30. Në njërën dhomë janë 5 kompjuterë, në tjetrën 6. Punojmë me turne.

- Prindërit e dinë që merresh me këtë punë?

- Shiko, diçka dinë që punoj me kompjuterët etj. Edhe po t'ua shpjegoja më hollë, nuk do ta kuptonin shumë. Pastaj nuk është ndonjë gjë dhe aq anormale sa mund të duket.

Sa fitojnë? Jo keq...

Llogaritë bëhen në dollarë, pasi pronësia e këtyre lloj studiove, zakonisht është e tillë: një pronar në SHBA dhe një në kryeqytetin evropian, ku funksionon studioja. Kjo shpjegon edhe faktin që shumica e klientëve janë anglisht-folës. Një minutë chat kushton nga 0,75 në 5,99 dollarë amerikanë. Fitimi ndahet përgjysmë mes pronarit të sitit në Shtetet e Bashkuara dhe atij të "studios" në vendin përkatës në Europë. Nga ana e tyre, "modelet" marrin një shumë që varion nga 25 deri në 40 për qind të fitimit. D.m.th., në harkun e 6 orëve, një vajzë mund të fitojë nga 65 deri në 300 dollarë.

0 commenti:

Copyright © 2008 - 2011 Adult Albania - is proudly powered by Blogger
Smashing Magazine - Design Disease - Blog and Web - Dilectio Blogger Template