Një burrë i vështirë është i këndshëm e i urryer njëherësh, i ëmbël dhe i ashpër, joshës dhe acarues, i qëndrueshëm dhe rraskapitës, egoist dhe bujar, zemërgur dhe plot përkujdesje. Me pak fjalë është kundërshtia vetë. Për një çast ju duket sikur po fluturoni nga gëzimi dhe sakaq ju kaplon vuajtja e zemërata. Dhe më e keqja është se ju vazhdoni ta doni pavarësisht nga këto, madje keni nevojë për të. Të paktën sot, nesër nuk i dihet kurrë. Kurrë nuk jeni të sigurta nëse e doni, përse e dashuroni, nëse vërtetë keni nevojë për të, apo është thjesht forcë zakoni. Veç një gjë është e sigurt: ai ka qenë dhe mbetet tejet i rëndësishëm për jetën tuaj, herë për të mirë e herë për të keq. Eshtë burri juaj i vështirë.

Çlirohuni nga zemërimi

Duket kaq e paarsyeshme që burri, i cili sapo ka kaluar një natë të këndshme me gruan të jetë i mllefosur dhe i pakënaqur të nesërmen në mëngjes, aq më tepër nëse nuk ka asnjë shkak për këtë. Kjo skemë “afrim-largim”, e quajtur ndryshe edhe “tërheqje- shtytje”, haset rëndom dhe ndodh jo vetëm pasi ke bërë dashuri, por edhe fjala vjen pas një mbrëmjeje të bukur të kaluar në teatër, ose pasi ke vallëzuar deri në agim. Disa njerëz ndodh që t'ia mbathin të frikësuar… Burra e gra, që janë të lidhur së bashku, gjithsesi, duhet t'i japin njëri-tjetrit mundësi të provojnë ndjenja si zemërimi, nervozizmi, pakënaqësia, apo vetmia, qoftë edhe pa pasur ndonjë arsye bindëse apo duke dhënë arsye që në pamje të parë duken marrëzira; të gjitha këto e mbajnë në këmbë një marrëdhënie. Sa herë burri i jetës suaj sillet si i marrë, apo shpreh ndjenja aspak normale, përpiquni të reflektoni dhe tregohuni të matur. Duke qenë se të tilla ndjenja janë kaq të befta është e lehtë t'ia nisësh zënkave që s'të shpien gjëkundi.

Zemërimi është një ndjenjë e dëmshme

Të gjithë e kemi provuar ç'është zemërimi, pavarësisht se sa na pëlqen ose jo. Kjo ndjenjë zgjat vetëm disa sekonda, në shfaqjet e saj më të skajshme. Ashtu si rrezet X, zemërimi përshkon mendjen dhe trupin. Si ndjenjë provohet fizikisht, ka shfaqjen e vet të jashtme, por përjetohet edhe në mënyrë të pavetëdijshme, kur nuk e kuptojmë që jemi të zemëruar, xhelozë apo të depresuar. Të tjerët mund ta vënë re që jemi të inatosur nga shkëndijat që na lëshojnë sytë, nga faqet e përflakura, nga dihatja e rëndë apo nofullat e shtrënguara, kurse vetë ne jo…Zemërimi është ndjenja që e mohojmë më shpesh bashkë me xhelozinë dhe fyerjen; menjëherë mbas tyre vijnë ndjenjat që shprehin dashuri. Si burrat dhe gratë e urrejnë njëlloj zemërimin, por për arsye të ndryshme.

Mos i thoni burrit se e ka gabim

…Sado që mund të jetë e vështirë të shohësh burrin tënd që shpreh ndjenja të pakuptueshme për ju, duhet t'i bëni ballë tundimit për ta bindur që e ka gabim. Duke qenë se shpesh ndjenjat irracionale janë të lidhura me situata të caktuara, do të qe më e udhës për ju të mos përziheshit, ndonëse mund t'ju ketë ardhur në majë të hundës, me qëllim që t'i shmangeni ballafaqimit me ndjenjat që provon burri juaj në ato çaste. Kur veproni kështu, jo vetëm që i shmangeni zënkave të kota, por edhe i jepni të kuptojë sa e dëmshme është sjellja e tij për marrëdhënien.

Zhgënjimi mbas aktit seksual

Duhet të jenë të paktë ata që provojnë një ndjesi të tillë pas një marrëdhënieje seksuale të këndshme me partnerin, e megjithatë kjo ndjenjë lind si te burrat, ashtu dhe të gratë. Edhe pse një marrëdhënie seksuale fort e këndshme fizikisht dhe emotivisht mund të realizojë disa prej ëndrrave tuaja më të shfrenuara, akti seksual mund të ngjallë tek ju zhgënjimet e mëparshme. Ja si e përshkruan një grua: “Të gjitha dëshirat tona… dëshirat kundërshtuese… presin të realizohen. Duam që partneri të jetë i fortë dhe nga ana tjetër të na jepet i gjithi, që të na sundojë dhe të na nënshtrohet njëherësh… të na përdhunojë e të tregohet i ëmbël me ne…”. Edhe burrat kanë fantazitë e tyre për partneren e përkryer seksuale. Eshtë e vërtetë që, nëse kjo do të realizohej burri nuk do të ishte aspak më i lumtur se ju, nëse do të kishit realizuar fantazitë tuaja. Por, gjithsesi ndodh të ngulë këmbë që ju ta ndiqni në fantazinë e tij dhe nëse nuk e bëni mbetet i zhgënjyer.

Ndërgjegjësohuni në marrëdhënie

Nuk mund ta detyroni burrin tuaj të ndryshojë, por mund të ndikoni tek ai. I vetmi kontroll që gjithsecili nga ne mund të ushtrojë është kontrolli mbi veten. Kur ndaloni një hop dhe i shihni gjërat me qetësi, duke vlerësuar familjen tuaj, në fakt shihni një hap përpara drejt kontrollit të vetvetes. Eshtë e vështirë të ndryshosh vetveten, sepse mund të tregohesh më i rreptë, më kritik dhe më kërkues ndaj vetes se çdokush tjetër. Pra, që të jeni të paanshëm duhet të zhdukni nga përfytyrimi për veten çdo koncept për të mirën, apo të keqen. Në botën e marrëdhënieve përjashto dhunën fizike, nuk ekziston e drejta apo e gabuara, e mira apo e keqja. I vetmi parim që duhet të ndiqni për të vlerësuar veten në marrëdhënie me burrin që doni është ndërgjegjësimi.

0 commenti:

Copyright © 2008 - 2011 Adult Albania - is proudly powered by Blogger
Smashing Magazine - Design Disease - Blog and Web - Dilectio Blogger Template