Kur tradhtojnë femrat

Kur tradhtojnë femrat

Përse tradhtojnë femrat? Po fundja ç'ndryshim ka, përse ato duhet të kenë ndonjë arsye të ndryshme nga ato të meshkujve? Tradhtia ngelet tradhti, pavarësisht faktit në je femër apo mashkull. Jam shumë e sigurt se këtë që sapo thashë do ta kundërshtojë shumica e femrave. Përballë pyetjes "përse tradhtojnë femrat?", nuk ishin të pakta ato që më vështruan shumë të çuditura. "Nuk e di. Unë për vete nuk kam tradhtuar ndonjëherë!". Kjo ishte përgjigjia që mora nga pjesa më e madhe e të anketuarave. E pra, femrat nuk e njohin fjalën tradhti! Për t'u çuditur kjo, sepse meshkujt thonë krejt të kundërtën. Do thoni ju po fundja ç'na hyn në punë se ç'thonë meshkujt, kur bëhet fjalë për ne dhe ne e dimë shumë mirë që nuk tradhtojmë. Por meshkujt thonë se jo në pak raste kanë provuar tradhtinë e femrave.


"Nuk tradhtojmë kurrë"

Është nga të paktët sondazhe që nuk ka pasur asnjë mendim të përbashkët mes dy sekseve. Ndërsa femrat në asnjë mënyrë nuk pranojnë që të mbajnë epitetin tradhtare, meshkujt nuk ngurrojnë të derdhin një lumë fjalësh kundër tyre, thua se femrat e kanë shpikur të parat fjalën tradhti. E në fakt, po të mbështeteshim në histori, ata kanë pak të drejtë. Gjithmonë duke përjashtuar veten, ato, ia faturojnë fajin meshkujve që nuk i kanë më në vëmendje. Ata, duke mos përjashtuar asnjë, thonë se ato e kanë tradhtinë në karakter.


"Nëse një femër tradhton, për këtë e ka fajin partneri i saj. Ajo do ta bënte një gjë të tillë, vetëm nëse nuk gjen tek ai dashuri dhe siguri. Kështu që detyrohet t'i kërkojë tek një tjetër. Por gjithsesi, të rralla janë ato femra që tradhtojnë", thotë Markela 25 vjeç.


"Nëse ajo nuk ndihet mirë pranë partnerit të saj, duhet të mundohet ta rifitojë atë dhe jo të vrapojë në krahët e dikujt tjetër", kundërshton Armandi 24 vjeç.


"Tradhtojnë, sepse ndihen vetëm dhe i dashuri ose burri i saj nuk e bën të ndihet e dashuruar. Sepse ndoshta mes tyre ka humbur lidhja e fortë që i mbante pas njëri-tjetrit", thotë Sonila 22 vjeç.


"Kur një lidhje duket se nuk funksionon ose nuk ndihesh më mirë pranë partnerit tënd, lëre atë, pastaj gjej një tjetër", thotë Besi 24 vjeç.


"Kuptohet që një femër, për vetë natyrën e saj të brishtë, gjëja e fundit që do të bënte do të ishte tradhtia. Jam e sigurt se si fillim do të përpiqej të rifitonte partnerin e saj", shprehet Anxhela 23 vjeç.


"Unë di shumë raste kur një femër tradhton pa pasur asnjë arsye, thjesht sepse e ka në karakter. Se nuk do t'ia dijë se ç'ndjen tjetri", thotë Erandi.


Ekperienca apo mungesë vëmendjeje


Edhe pse e mbajnë veten për besnike të përjetshme, nuk kanë pse bëjnë përjashtim nga pjesa tjetër, që janë meshkujt. Duket se në çështjen e tradhtisë femra dhe meshkuj janë të ndarë në dy kampe pa asnjë të përbashkët. Secili justifikion veprimin e vet dhe sheh me sy mjaft kritik atë të tjetrit. Nëse do të kishim parasysh disa nga motivet që shtyjnë një mashkull në tradhti (që ata i kanë pohuar vetë më gojën e tyre) si p.sh. etja për eksperienca të reja dhe pamundësia për t'i bërë ballë tundimit, nuk shihet ndonjë arsye se përse femrat duhet të bëjnë përjashtim. Të tilla arsye fare mirë mund t'i shtynin edhe ato të bënin të njëjtën gjë. Të tradhtonin. Shumë të rralla janë ato femra që e pranojnë një gjë të tillë.

"Mendoj se femrat në karrierë kanë më shumë mundësi të tradhtojnë. Kjo për arsyen se duke qenë se mund të ndihen disi të plotësuara me veten, kërkojnë fusha të reja për të eksperimentuar. Flirtojnë dhe luajnë rolin e femrës së emancipuar që nuk ka tabu dhe paragjykime", shprehet Arsela 23 vjeçe.


"Mendoj se femra shqiptare në përgjithësi ka nevojë për eksperienca. Mungesa e saj dhe përvoja me pak meshkuj e shtyn drejt lidhjeve të tjera", thotë Taulanta 22 vjeçe


"Duke qenë se jetojmë në një shoqëri me meshkuj që akoma nuk dinë si trajtohet një femër, ne jemi të detyruara që të jemi gjithmonë në kërkim, dhe kjo quhet tradhti. Por për mendimin tim nuk ka rëndësi emri. Një femër nuk largohet kurrë nga një mashkull që i jep gjithçka", shprehet Dorida 25 vjeçe


Tradhtia, armë në duart e femrës

Nuk janë të rralla rastet kur një tradhti përdoret për të tërhequr vëmendjen e partnerit. Ajo ndjehet e lënë pas dore, lidhja e dikurshme mes të dyve nuk është më e fortë dhe marrëdhënia ka rënë në krizë. Si t'ia bëjë që gjërat të kthehen siç kanë qenë më parë? Nëse bëhet zheloz, do të kuptojë se jam edhe unë këtu. E rrallë, por ndodh. Gjithmonë në fokusin e eksperiencave të të tjerëve ose edhe vetat, por që thuhen të fshehura nën të tjera identitete, pjesëmarrësit në sondazh tregojnë se si një tradhti përdoret për të t'i treguar partnerit se e ka lënë pas dore ose për ta bërë xheloz.

"Unë di jo pak raste, kur një femër e përdor tradhtinë për të shprehur inatin që ka ndaj partnerit. Mendon se duke u bërë zheloz, ai do të kuptojë se sa e rëndësishme është ajo për të", tregon Rigelsi


"Nëse ai do të marrë vesh se ajo po e tradhton, ndoshta do të përpiqet të gjejë fajin tek vetja", thotë Besjana


Ndërkaq, në raste të tjera shumë femra ndjekin shembullin e partnerit. Nëse ai e tradhton, ajo bën të njëjtën gjë. Kështu, ai do ta kuptojë sesi ndihet ajo. Por a është kjo një mënyrë për t'i treguar se tradhtia e tij e bën të ndjehet keq, apo mos ndoshta më në fund doli në pah karakteri i saj i vërtetë? Ajo përdor tradhtinë e tij për të qenë e justifikuar për një veprim që ndoshta nuk ka guxuar për arsye të ndryshme ta bënte më parë? Të tjerë mendojnë se një femër nuk ka nevojë fare për arsye. Ajo tradhton dhe kaq.

"Ka shumë femra që shfrytëzojnë momente të tilla, por në fakt për mendimin tim nuk është kjo mënyra për të zgjidhur situatën, tradhtia e femrës në kërë rast do të ishte një gabim i pafalshëm", shprehet Samanta.


"Femrat janë nga natyra materialiste. Kjo është një arsye e mjaftueshme që ajo të tradhtojë. Ai tjetri i jep ato gjëra që partneri i saj nuk do të mundej t'ia ofronte dhe kjo për të do të thotë shumë", thotë Toni 24 vjeç.


"Mendoj se tradhtia nuk ka të bëjë fare as më arsye dhe as me rrethana. Të tradhtosh ose jo, kjo varet nga karakteri i njeriut. Kur femra është e fortë dhe e qëndrueshme në ndjenjën e saj, nuk ka arsye që ta bëjë të tradhtojë partnerin. Para se të tradhtosh atë, si fillim ke tradhtuar besimin e tij dhe kjo tregon se je njeri i dobët dhe pa karakter", Majlinda 31 vjeç


Por sa e falshme është tradhtia nga pala tjetër? Duket se të dy, si femra si mashkulli, janë shumë të ndjeshëm për sa i përket kësaj pike, vriten dhe lëndohen nga tradhtia. U duket e pafalshme kur e bën tjetri dhe mundohen ta justifikojnë me të gjitha mënyrat kur e bëjnë vetë.

"Do të ndihesha shumë keq nëse do të merrja vesh se i dashuri im më tradhton. Nuk e di nëse do të mundja ta falja", thotë Ledia 21 vjeç


"Është e vështirë të thuash se sa e fal tradhtinë. Është shumë e rëndë, por ndonjëherë shumë gjëra varen nga momenti dhe nga rrethanat në të cilat ndodhesh", shprehet Geraldi 24 vjeç.


Të flasësh për tradhtinë si fenomen nuk është shumë e vështirë, të tregosh përvojën tënde, kjo qenka e pamundur. Asnjë nga të anketuarit nuk mori guximin të tregonte për veten, nëse kishte tradhtuar apo e kishin tradhtuar ndonjëherë.

0 commenti:

Copyright © 2008 - 2011 Adult Albania - is proudly powered by Blogger
Smashing Magazine - Design Disease - Blog and Web - Dilectio Blogger Template