Kultura jonë maskiliste (por edhe të tjera) për vite me radhë ka krijuar mite se meshkujt tradhtojnë sepse janë më impulsivë, janë biologjikisht më të predispozuar apo tradhtojnë vetëm për seks. Kurse, për femrat mendohet që tradhtojnë me ndërgjegje, të bindura për atë që po bëjnë dhe tradhtojnë me zemër.

Më tej, kur çifti martohet, udhëzimet e mëtejshme që u jepen femrave janë: “Tani që u martove, do ta durosh burrin me gjithë të këqijat që ka”, “Për hir të fëmijëve falja gabimet që mund të bëjë se burrë është”. Ndërsa udhëzimet kryesore për meshkujt vërtiten rreth: “Edhe tani mblidh mendjen: s'ka më lart e poshtë”.

Këto mite, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, përcjellin mesazhin se tradhtia e meshkujve është më e tolerueshme dhe më pak e dënueshme, pasi gjoja ka një natyrë thellësisht biologjike dhe mashkulli ka “nevoja fizike” më të forta se femra. Kohët e fundit këtyre miteve u janë shtuar edhe mendësi të tjera si: një mashkull që nuk tradhton, nuk është një mashkull i vërtetë; është normale që mashkulli edhe mund të tradhtojë se është mashkull, prandaj edhe mund t'i falet etj.

Duket se morali dhe normat e vetë shoqërisë sonë janë bërë më tolerante dhe e marrin të mirëqenë tradhtinë mashkullore, e cila “ndëshkohet moralisht” më pak se ajo femërorja (mashkulli që tradhton shihet si i zoti, i aftë etj., kurse femra quhet e përdalë). Por, e gjithë kjo është thjesht mendësi e një shoqërie maskiliste që e shfaq seksin si ekskluzivitet të mashkullit, sipas së cilit mashkulli gëzon çdo lloj lirie, ndërsa femra jo. Kjo bën që arsyeja kryesore pse është rritur numri i femrave që tradhtojnë, të jetë edhe hakmarrja. Por a është i shëndetshëm psikologjikisht ky qëndrim?

0 commenti:

Copyright © 2008 - 2011 Adult Albania - is proudly powered by Blogger
Smashing Magazine - Design Disease - Blog and Web - Dilectio Blogger Template